pritje

e pres bandillin më të errur,

hap të gjatë e pushkën ngrehur

tek kalon mbi vreshtën tënë

harron të ma bënj me shënjë?

a të dal në oborr vallë?

a të pres gurin stërrall

një shkëndijë të më nxjerrë

a në penxhere të më bjerë

a të pres flladin e darkës

të shuajë thëngjijt e vatrës

mbase pret pulat të flenë

se po mori fjala dhenë

më coptuan e mjera unë

në dhe të gjallë më vunë

pres e pres e terri ra

shënjë nga bandilli s’ka

dal medemek gjer në katua

vërtitem ashtu në të shuar

 kerkoj bandill e bandill s’gjej

futem në shtroje e bie të fle

pas ca kohe çoç dëgjoj

edhe ngrihem të shikoj

mbase bandilli u kujtua

e vjen të më takojë mua

zbathur heshtur vidhem jashtë

bandilli me fqinjën bashkë

poshtë mënit kokolepsur

gjysma shtrirë, gjysma xheshur

mbyll derën e shkoj e shtrihem

në ëndërr me veten të zihem

Shkruaj një koment



Kujdes: Komentet moderohen, prandaj dhe postimi i komentit tuaj mund të vonohet. Mos e dërgoni të njëjtin koment dy herë.