Dhj 18

e pres bandillin më të errur,

hap të gjatë e pushkën ngrehur

tek kalon mbi vreshtën tënë

harron të ma bënj me shënjë?

a të dal në oborr vallë?

a të pres gurin stërrall

një shkëndijë të më nxjerrë

a në penxhere të më bjerë

a të pres flladin e darkës

të shuajë thëngjijt e vatrës

mbase pret pulat të flenë

se po mori fjala dhenë

më coptuan e mjera unë

në dhe të gjallë më vunë

pres e pres e terri ra

shënjë nga bandilli s’ka

dal medemek gjer në katua

vërtitem ashtu në të shuar

 kerkoj bandill e bandill s’gjej

futem në shtroje e bie të fle

pas ca kohe çoç dëgjoj

edhe ngrihem të shikoj

mbase bandilli u kujtua

e vjen të më takojë mua

zbathur heshtur vidhem jashtë

bandilli me fqinjën bashkë

poshtë mënit kokolepsur

gjysma shtrirë, gjysma xheshur

mbyll derën e shkoj e shtrihem

në ëndërr me veten të zihem

Dhj 15

Lickë moj, dreqkë moj kur u rrite

të dërgoi babai në ara

dhe të tha ti ec përpara

ti s’e dije ku të shkoje

po u nise fare pa droje

rrugës gjatë, rrugës larg

Lickë u bëre azatkë

vetë burrë e vetë grua

vetë mish e  vetë thua

vetë zot e vetë shkop

vetë bej e vetë rob

vetë bujk e vetë bari

Lickë, po bën prokopi?

Licka qesh e nuk flet

është vajzë me terbiet

të atin e mban si zotni

të ëmën mbuluar me flori

dreqkë ka mbetur akoma

tek barit në baçhet tona

Lickë moj dreqke moj, kur u rrite,

mbajte një shtëpi me simite

me kajmak e me reshedi

lumsi fshati tërë për ty