proponimi

Komshija pardje më tha

U rrite për marshalla

je gati për t’u martuar

Vjehrrë për të pleqëruar

Pa kam një trim mustaqelli

dhëmbë rruazë e sy-ulli

Derë soji punë e madhe

dhomat për të hedhur valle

Epo mirë - thashë unë

Shoqet bënë të njëjtën punë

E më lanë vetmuar-ë 

Shtatë male kaptuar-ë

keshtu thashë të pranoj

e në punën time të shkoj

edhe dhëndrri sy-ulli

vjen pi kafe në avlli

pa qenka trim i dëgjuar-ë

nga qielli pikuar-ë

edhe unë paskam fat

që me mua shtiu merak

se unë jo se jam e keqe

po çdo fshat ka plot keçe

që presin për t’u vluar

me një trim sojlli të shquar

e lumsi shoqe lumsi unë

që na u bitis kjo punë

me këpucë allafrënga

me dimi si ma ka ënda

gusha me flori rrethuar

dëshmia me bojë nënshkruar

pa u zgjova që menatë

se s’më rrihej në krevat

lava sytë e lava lotët

e mora udhët e botës

e di që më kanë bërë lanet

po të paktën unë jam vetë

vetë zot e vetë shkop

vetë kadi e vetë peshkop

pa kam marrë një kopaçe

degë nyjake dhe gungaçe

shoqet martuar me fëmijë

unë vluar me erën e shinë

Shkruaj një koment



Kujdes: Komentet moderohen, prandaj dhe postimi i komentit tuaj mund të vonohet. Mos e dërgoni të njëjtin koment dy herë.